Më 14 nëntor, Miodrag Milićević nga OJQ Aktiv u sulmua fizikisht dhe verbalisht nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës në afërsi të vendkalimit në Jarinjë. Sulmi reflekton dhe kontribuon në përkeqësimin e atmosferës për besim dhe bashkëjetesë paqësore në Kosovë, e cila është vërejtur muajt e fundit dhe ka arritur shkallë alarmante të përshkallëzimit me tërheqjen e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
Veprimet e fundit nga palët kryesore që kontribuan në këtë përshkallëzim janë ndërmarrë pa marrë parasysh pasojat afatgjata dhe dëmin që mund t’i bëhet kornizës themelore për normalizimin. Vazhdimi i një mjedisi kërcënimesh, frikësimi, poshtërimi dhe mosbesimi vetëm sa do të përkeqësojë situatën tashmë të brishtë.
Organizatat tona janë zotuar të përmirësojnë kushtet për normalizim duke krijuar kanale ndërmjet komuniteteve dhe duke ndërtuar besimin për të kontribuuar në paqen afatgjatë dhe të qëndrueshme. Në këtë kohë, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara për paqen në rajon që të përmbahen nga gjuha acaruese dhe të përdorin marrëdhëniet, platformat dhe kanalet që kalojnë linjat e komunitetit dhe linjat politike për të krijuar angazhim, për të ndërtuar kuptimin e perspektivave të shumta në kontekstin aktual dhe për të kontribuuar në një mjedis ku aktorët kryesorë ndërmarrin veprime të menduara mirë që kanë parasysh mirëqenien e të gjitha komuniteteve.
Ne gjithashtu i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të demonstrojë urgjencë të përshtatshme në angazhimin e tyre me krizën aktuale. Ne i dalim në krah kolegut tonë, z. Milićević, dhe bëjmë thirrje që incidenti të trajtohet në përputhje me kornizat përkatëse ligjore në fuqi.
Nënshkruesit: