“Albania is Serbia”, “Kosovo is Serbia”, “Never forgive, never forget”, “No respect”, “S’di si mundet njeriu me tradhtu gjakun e vet”, janë vetëm disa nga komentet që vërehen në video ku ka ndërveprim në mes të të rinjve shqiptarë dhe atyre serbë në mediat sociale.
Ndonëse kanë kaluar 26 vite nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, të rinjtë akoma vazhdojnë të përballen me narrativa politike, nacionaliste dhe shoqërore që vazhdojnë të jenë të pranishme në hapësirën publike.
Njohësit e mediave sociale e kanë konsideruar sa shqetësuese po aq edhe mungesë e edukimit medial fenomenin e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale.
Një gjë të tillë e shpjegon ekspertja e mediave sociale, Kaltrina Jashari për të cilën, një faktor i rëndësishëm në këtë gjuhë është edhe mungesa e edukimit medial dhe ndërkulturor.
“Shumë të rinj nuk janë të trajnuar ta dallojnë propagandën, gjuhën nxitëse, stereotipet apo manipulimin emocional në përmbajtjet online. Në mungesë të mendimit kritik, ata shpesh i riprodhojnë narrativat që i shohin në familje, media, politikë apo në rrjete sociale. Po ashtu, tensionet politike aktuale shpesh rikthejnë dhe forcojnë ndarjet e vjetra. Sa herë që ka zhvillime politike apo incidente në terren, ato reflektohen shumë shpejt në rrjetet sociale, ku komentet fyese, nacionaliste dhe përjashtuese bëhen më të dukshme”, tha Jashari.
Tutje, ajo thotë se veçanërisht platforma TikTok ndikon në përhapjen e gjuhës së urrejtjes për shkak se ka përmbajtje me video të shkurtra.
“Rrjetet sociale, sidomos TikTok, kanë ndikim të madh sepse e bëjnë përmbajtjen shumë të shpejtë, emocionale dhe lehtësisht të shpërndarshme. TikTok funksionon mbi video të shkurtra, audio virale, trende dhe reagime të menjëhershme. Kjo e bën platformën shumë të fuqishme për komunikim, por njëkohësisht edhe të rrezikshme kur përmbajtja ka karakter nxitës, fyes apo diskriminues. Një element specifik i TikTok-ut është se përmbajtja nuk shpërndahet vetëm te ndjekësit, por mund të arrijë shumë shpejt audienca të gjera përmes faqes “For You”. Kjo do të thotë se edhe një video e krijuar nga një përdorues i panjohur mund të bëhet virale brenda pak orësh, nëse nxit reagime të forta emocionale. Fatkeqësisht, përmbajtjet që provokojnë zemërim, frikë, krenari nacionaliste apo konflikt shpesh marrin më shumë komente, shpërndarje dhe reagime”, tha ajo.
Për Lana Ciric, një studente serbe, shumë nga komentet negative vijnë nga përdorues shumë të rinj.
“Mendoj se të rinjtë vazhdojnë të përdorin gjuhë urrejtjeje online sepse shumë prej tyre rriten të rrethuar nga narrativa historike të pazgjidhura, nacionalizëm dhe stereotipe që transmetohen nga familja, mediat apo politika. Edhe nëse nuk i kanë përjetuar vetë luftërat, ata trashëgojnë emocione dhe paragjykime të lidhura me to. Rrjetet sociale gjithashtu e bëjnë më të lehtë shprehjen e opinioneve agresive, sepse njerëzit ndihen anonimë dhe të distancuar nga pasojat reale të fjalëve të tyre. Në disa raste, gjuha e urrejtjes bëhet mënyrë për të marrë vëmendje, pëlqime apo miratim nga komunitetet e tyre online”, tregoi ajo.
Për ndalimin e kësaj gjuhe, Ciric thotë se të rinjtë duhet më shumë të edukohen rreth mediave dhe mendimit kritik.
“Mendoj se ndryshimi duhet të ndodhë në disa nivele njëkohësisht. Tek të rinjtë duhet më shumë edukim për edukimin mediatik, empatinë dhe mendimin kritik, sidomos lidhur me historinë e rajonit. Platformat duhet ta marrin më seriozisht gjuhën e urrejtjes dhe të përmirësojnë moderimin, duke promovuar gjithashtu ndërveprime pozitive dhe konstruktive. Në nivel shoqëror, liderët politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të shmangin retorikën nxitëse, sepse të rinjtë shpesh pasqyrojnë atë që shohin në diskursin publik. Më shumë mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim mes të rinjve nga komunitete të ndryshme mund të ndihmojnë gjithashtu në uljen e paragjykimeve dhe në humanizimin e “palës tjetër””, tha ajo.
22-vjeçari Feim Katana thotë se për të ndryshuar qasjen në mes të të rinjve duhet që organizatat që promovojnë tolerancën kulturore të bëjnë më shumë aktivitete ndërkulturore.
“Mendoj që duhet të ekzistojnë klube dhe organizata që nuk promovojnë gjuhë urrejtjeje ndërmjet popujve. Organizata që promovojnë tolerancën kulturore të secilit popull dhe të merren me më shumë aktivitete ndërkulturore si, për shembull, vizita, shkëmbime studentësh e të tjera”, tha ai.
Tutje, ai tregon se ka edhe miq nga Serbia, me të cilët, thotë se pavarësisht mendimeve të ndryshme, mund të ekzistojë miqësia.
“Unë personalisht kam miq serbë dhe, edhe nëse kemi opinione të ndryshme, jemi një shembull se si një miqësi mund të ekzistojë edhe në raste kur ka mendime të ndryshme, por që gjuha e urrejtjes në miqësinë time nuk promovohet. Madje ndodh që bëjmë shaka mes dy popujve, por duke shprehur miqësi. Ata që promovojnë hasmëri, sidomos të rinjtë, besoj që një shumicë e madhe nuk kanë pasur fare kontakt të drejtpërdrejtë dhe kurrsesi nuk e njohin njëri-tjetrin para se të flasin. Të vjetrit madje nuk janë edhe aq negativë, e lëre më të rinjtë. Mendoj që ka të bëjë edhe më shumë me krenarinë kombëtare, që shpesh mund të vlerësohet edhe si shkallë superiore dhe mund të çojë në ksenofobi (fobia ndaj kombeve të huaja, duke nënvlerësuar dhe diskriminuar vlerat kombëtare dhe kulturore të kombeve të tjera)”, rrëfen ai.
Për eksperten e mediave sociale, mungesa e moderimit efektiv është veçanërisht problematike në gjuhë më pak të mbuluara nga sistemet globale të platformave, si shqipja dhe serbishtja.
“Shpesh, fjalët fyese, termat lokalë, ironia, konteksti historik apo referencat nacionaliste nuk kuptohen saktë nga sistemet automatike të moderimit. Kjo bën që një pjesë e madhe e përmbajtjes së dëmshme të mos identifikohet ose të mos largohet me kohë. Në rastin e gjuhës shqipe dhe serbe, sfida është edhe më e ndërlikuar sepse gjuha e urrejtjes shpesh përdor kode, simbole, shkurtesa, këngë, flamuj, data historike apo referenca që kërkojnë njohje të kontekstit lokal. Një algoritëm global mund të mos e kuptojë se një frazë, këngë apo simbol i caktuar po përdoret për të provokuar apo dehumanizuar një grup tjetër”, thotë Jashari.
Lufta e fundit e vitit 1998-1999 e cila çliroi përfundimisht Kosovën nga Serbia mbetet si shkak i vetëm historik që sjell konflikte edhe mes gjeneratave të reja të cilat mbeten peng i fakteve historike mbes dy vendeve.