“Familja Gashi”… një histori që nuk u tregua mjaftueshëm

Në kujtesën kolektive për ngjarjet e marsit 1998 në Prekaz, shpesh përmendet rezistenca dhe sakrifica e familjes Jashari. Por, mes atyre ditëve të rënda, ka edhe histori që kanë mbetur në hije. Më 5 mars 1998, forcat serbe rrethuan zonën e Prekazit, duke ndërmarrë një ofensivë të gjerë ushtarake. Në shënjestër të kësaj ofensive ishte fshati Prekaz, saktësisht familja e Shaban Jasharit, për shkak se djemtë e tij, Hamza dhe Ademi, kishin themeluar dhe udhëhiqnin celulat e para të UÇK-së në këtë zonë. 

Megjithatë, dhuna që erdhi nga agresori serb nuk bëri dallime. Si pasojë e ofensivave serbe në vitin 1998, në mesin e viktimave ishin edhe anëtarët e familjes Gashi. Asokohe, forcat serbe vranë 59 persona në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në Burojë dhe një në Tushilë   gjithsej 68 persona, prej të cilëve 40 ishin civilë të paarmatosur. Ndër civilët, 26 ishin femra dhe 14 meshkuj; 18 ishin të mitur, ndërsa pesë mbi 65 vjeç; 37 ishin shqiptarë dhe tre ashkali.

Të parët që u vranë në këtë ofensivë, më 5 mars 1998, ishin Fatime Gashi, 50 vjeçare nga komuniteti ashkali, së bashku me fëmijët e saj, Gazmendin 16 vjeç dhe Makfireten 13 vjeçe. Ata u vranë në orët e para të ofensivës. Megjithatë, përkundër faktit se kjo ishte një tragjedi që preku të gjithë pa dallim, jo të gjitha viktimat kanë marrë të njëjtën vëmendje në kujtesën publike.

Historia e familjes Gashi mbetet një nga ato histori që rrallë rrëfehen. Një kujtesë e heshtur për civilët e pafajshëm që humbën jetën në të njëjtën tragjedi. Edhe sot, pas gati një çerek shekulli, emrat e tyre përmenden më pak, ndonëse sakrifica dhe martirizimi i tyre është pjesë e së njëjtës histori. Në disa raste, kjo heshtje lidhet edhe me steriotipe të krijuara ndër vite, përfshirë edhe përkatësinë etnike, duke lënë në hije rrëfime që do të duhej të ishin pjesë e kujtesës kolektive.

Prandaj, është e rëndësishme të theksohet se gjeneratat e sotme shpesh nuk kanë informacionin e plotë për këto ngjarje, pikërisht për shkak të mungesës së këtyre rrëfimeve. Në realitet, dëshmitarë të ndryshëm konfirmojnë se jo vetëm në Prekaz, por në gjithë territorin e Kosovës veçanërisht në Rrafshin e Dukagjinit  komunitetet egjiptian, ashkali dhe të tjera kanë pasur dëshmorë, martirë dhe viktima të luftës së fundit. Ka pasur edhe pjesëtarë të këtyre komuniteteve që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç flasin edhe komandantët e brigadave të ndryshme. Megjithatë, kontributi i tyre mbetet pak i njohur dhe rrallëherë trajtohet në mënyrë të plotë, qoftë nga individë, grupe apo media.

Prandaj, duke iu rikthyer kësaj historie, kuptohet se rëndësia e bashkëjetesës dhe kontributit të përbashkët është thelbësore për të ndërtuar një kujtesë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Kjo histori dëshmon se dhuna e asaj kohe nuk bëri dallime dhe se kujtesa nuk duhet të jetë e pjesshme. Sepse në atë ditë, askush nuk u nda sipas përkatësisë. Dhuna nuk bëri dallim. Plumbat nuk pyetën. Sot, pas gati një çerek shekulli, emrat e Fatimes, Gazmendit dhe Makfiretes përmenden më pak. Por historia e tyre është po aq pjesë e asaj dite. Një histori që nuk kërkon më shumë…njejtë siç kërkojnë edhe historitë tjera… veçse të mos harrohen. Sepse kujtesa nuk duhet të jetë e pjesshme, sepse humbet kuptimi i saj nëse nuk është e plotë… E plota arrihet vetëm kur pjesë e rrëfimit janë të gjithë të përfshirët… Është koha që institucionet tona të kujtesës të përfshijnë emrat e Fatimes, Gazmendit dhe Makfiretes në pllakat përkujtimore dhe librat e historisë…

PreviousRishkrimi i Memorializimit: Çfarë na Mësojnë Kosova dhe Ruanda për Kujtesën e Gjenocidit Next26 vjet pas luftës: si rrjetet sociale po riprodhojnë ndarjet etnike te të rinjtë