Të vegjlit e luftës, turpi i madh i paqes

Humbjen e tre fëmijëve gjatë luftës, Ibush Berisha nga Bardhi i Madh i Fushë Kosovës e ka peng të jetës. Vajzën 12 vjeçare dhe djalin 15, i kujton me dhimbje sa herë iu shkon te varri.

Asnjëri nga ta nuk arriti t’i bënte ballë plagëve që i morën kur ranë në mina, teksa po tentonin të kalonin kufirin me Shqipërinë, me shpresën që atje do të gjenin strehë.

“Çikën edhe djalin e madh i kish gjet një fshatar tu i ru lopët. Në përrua i ka gjujt nja 30 metra larg”, tha Ibushi, që gjatë luftës iu vranë edhe nëna e gruaja.

Por trupin e Besnikut, djalit 13 vjeçar, ky nuk e gjeti kurrë, si kujtim të tij i ka veç disa fotografi.

“Ndoshta e ka marrë dikush e ka bo varrimin, serbët e dinë”, deklaroi po ashtu Berisha.

Djalin e vogël, Xhevdetin, e kërkon ende edhe Nurije Curri nga Fushë Kosova. Shpresat e nënës që do ta gjejë trupin e djalit 19 nuk i shuhen kurrë.

“Me tha po dalim po i marrim lopët se krejt po dalin, i thash jo djali jem mos dil se me bo me dal andej ka Pomozetini janë ushtarët. Doli shkoi. Prit një ditë, prit dy ditë, mozolla s’ka kurgja”, rrëfeu Nurija.

Këto dy familje e edhe të tjerat, as pas 27 vjetësh nuk kanë ku të shkojnë për të kujtuar fëmijët e vrarë gjatë luftës, që janë 1432 mijë.

Qysh në Kosovën e çliruar, nuk u gjet një pllamë tokë për me vendos një shenjë kujtimi për këta fëmijë?

Dikush me vetiniciativë e nisi këtë punë, por i mbeti ende në letër. Ndonëse nuk la derë pa trokitur.

Nustret Pllana nuk ka ende përgjigje nëse ideja e tij për një obelisk pikërisht për këta fëmijë do të realizohet ndonjëherë. Ta quajë këtë neglizhencë sikur i duket pak, pasi siç thotë Pllana, kjo është papërgjegjësi historike nga ana e organeve kompetente të institucioneve, andaj definitivisht kjo sipas tij është e pafalshme.

“Mungesa e një memoriali të tillë për familjet e 1432 fëmijëve tanë të martirizuar është mungesë jo vetëm e edukatës dhe kulturës institucionale të Republikës së përgjakur të Kosovës dardane, por, para botës përparimtare evropiane e botërore është mesazhi më i keq i mundshëm se shqiptarët në përgjithësi harresën e kujtesës historike e kanë defekt ‘gjenetik’, një nga fenomenet më të shëmtuara të popullit tonë të shumëvuajtur e liridashës”, tha ndër të tjera Pllana.

Pllana, si ideator i Obeliskut, ende ka shpresë që dikur vendi përkujtimor për fëmijët e vrarë do bëhet. Këtë shpresë ia mban gjallë pikërisht pesha e projektit, pasi e quan me rëndësi kombëtare, andaj edhe do që të kryhet sa më shpejt.

“Siç e dini, unë nuk jam ndalur asnjëherë duke kërkuar përgjegjësi nga të gjitha qeveritë tona, që ky projekt i një rëndësie të veçantë kombëtare të kryhet sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’iu bëjnë homazhe familjet e tyre, populli ynë, institucionet tona, miq e armiq, e të hedhin lule të freskëta në shenjë dhimbjeje e kujtimi të përjetshëm për ta, në OBELISK-un që do të ngritet përballë Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në një sipërfaqe prej një hektari (“dhuratë” nga Komuna e Lipjanit, ku do të mbilleshin 1432 pemë të tipit “bonsai” japonez)”, deklaroi ideatori Pllana.

Këtë punë, Nustret Pllana thotë se e ka në dorë tash pushteti.

“Këta hapa, deri në finalizimin me sukses të këtij kompleksi memorial (OBELISKU), do të duhej t’i ndërmerrte Qeveria e Republikës së Kosovës në detyrë, e cila është zotuar dhe ka premtuar publikisht që do ta përfundonte në vitin 2022, por që nuk e ka dhënë as të vetmin arsyetim pse ky projekt nuk ka filluar ende, anipse Qeveria Kurti, ish nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Sarandë Bogujevci, e pat caktuar shefe të grupit punues”, tha Pllana.

Ideja për memorialin e të vegjëlve i pëlqen shumë Ahmet Grajqevcit, i cili është kryetar i Këshillit Koordinues për Persona të Zhdukur dhe Krime Lufte.

“Institucionet është dashur të merren me këtë çështje dhe jo çdo gjë të jetë në mënyrën humanitare. Kjo është një ide jashtëzakonisht e mrekullueshme pasi, siç dihet, kemi më shumë se 1400 fëmijë të vrarë dhe të zhdukur në mosha të ndryshme. Janë po ashtu mbi 300 fëmijë që janë ende të zhdukur. Krejt këta duhet ta kenë një vend ku të kujtohen”, deklaroi Grajqevci.

Derisa të këtë një memorial për sakrificën e të vegjëlve, do të mësohet vetëm në Muzeun e Fëmijëve të Luftës që ndodhet në Prishtinë.

Aty, do të kujtohen edhe këtë 1 Qershor të vegjlit e luftës, që në fakt janë marria e madhe e paqes.

PreviousRishkrimi i memorializimit NextTitulli: Fitnesi si urë bashkëjetese: Integrimi i komunitetit serb në Gjilan përmes sportit