Në një kohë kur diskursi publik në Kosovë shpesh dominohet nga ndarjet etnike dhe narrativat e së kaluarës, në Gjilan po zhvillohet një histori ndryshe, një histori e bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe integrimit përmes sportit.
Në palestra, aty ku njerëzit ndajnë të njëjtat qëllime për shëndetin, zhvillimin fizik dhe mirëqenien personale, dallimet etnike humbin rëndësinë. Në këtë hapësirë, përkushtimi, disiplina dhe respekti reciprok bëhen gjuhë e përbashkët.
Një shembull konkret i këtij realiteti është Five Star Fitness në Gjilan, ku prej vitesh ushtrojnë bashkë shqiptarë dhe serbë, duke krijuar një ambient që dëshmon se sporti mund të shërbejë si urë lidhëse mes komuniteteve.
Nga fshatrat përreth Gjilanit, si Cernica, Shillova e Serbëve, Kufca, por edhe nga komuna të tjera si Parteshi, një numër gjithnjë e më i madh i të rinjve serbë po bëhen pjesë aktive e jetës sportive në qytet.
Një ambient i sigurt dhe pa paragjykime
38-vjeçarja Biljana Bogdanoviç, nga Komuna e Parteshit, tash e dy vite është pjesë e këtij fitnesi. Ajo punon në Gjilan, në Policinë e Kosovës, dhe tregon se vendimi për të ushtruar në qytet ka qenë një përvojë krejtësisht pozitive.
“Unë nuk jetoj në Gjilan, vij nga Komuna e Parteshit, ndërsa punoj në Gjilan në Policinë e Kosovës. Në këtë fitnes kam nisur të stërvitem para rreth dy vitesh”, thotë ajo.
Sipas saj, ambienti ka qenë i sigurt dhe mikpritës që nga dita e parë.
“Është vend i mirë dhe i sigurt për ushtrime. Të gjithë janë të komunikueshëm dhe shoqërues. Nuk ka paragjykime për etninë tonë apo diçka të ngjashme. Gjithçka është në rregull dhe nuk kemi hasur asnjë problem deri më tani”, tregon Bogdanoviç.
Ajo shton se nuk është e vetmja pjesë e komunitetit serb që frekuenton këtë palestër.
“Këtu ka shumë vajza, gra, djem të rinj dhe burra serbë që ushtrojnë. Bashkë stërvitemi dhe kushdo që dëshiron të vijë është i mirëseardhur. Nuk kemi pasur asnjëherë as problemin më të vogël”, tregon 38-vjeçarja.
Rritje e vazhdueshme e klientëve serbë
Edhe stafi i palestrës konfirmon këtë trend.
Sofije Leka, recepsioniste në Five Star Fitness prej shtatë vitesh, thotë se numri i klientëve serbë është rritur vazhdimisht.
“Jam pjesë e Five Star Fitness që shtatë vite dhe mund të them me siguri të plotë se ka rritje të vazhdueshme të klientëve serbë në çdo vit”, tregon Sofije Leka.
Sipas saj, bashkëpunimi dhe komunikimi kanë qenë gjithmonë korrekt.
“Ne jemi të kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me ne. Për ne si staf gjithçka është shumë e lehtë për t’u menaxhuar dhe deri më sot nuk kemi pasur asnjë problem”, tregon ajo.
Fitnesi si hapësirë neutrale
Për trajnerin Rinor Behluli, i cili prej pesë vitesh është pjesë e Five Star Fitness dhe merret me fitnes prej 16 vitesh, palestra është një nga ato vende ku paragjykimet zhduken natyrshëm.
“Deri tani nuk kam vërejtur asnjë ndryshim mes klientëve shqiptarë dhe atyre serbë. Gjithçka funksionon normalisht, korrekt dhe me respekt”, thotë ai.
Ai beson se sporti ka ndikim të drejtpërdrejtë në afrimin e komuniteteve.
“Mendoj që fitnesi ndikon jashtëzakonisht pozitivisht në afrimin e njerëzve. Është një vend ku secili e ndjen veten si në shtëpi dhe ku nuk ka paragjykime, gjykime apo ndarje etnike e fetare”, tregon Behluli.
Behluli thekson se trajtimi i klientëve është i barabartë për të gjithë.
“Unë personalisht i trajtoj të gjithë klientët njësoj. Nuk bëj dallime. Kohëve të fundit kam vërejtur interesim gjithnjë e më të madh nga komuniteti serb dhe arsyeja është e thjeshtë – ndihen mirë këtu”, shprehet 32-vjeçari gjilanas.
“Të gjithë jemi të njëjtë”
Të njëjtin mendim e ndan edhe Flamur Vranja, klient i rregullt në Five Star Fitness prej më shumë se katër vitesh.
“Prej që jam pjesë e fitnesit e deri më sot nuk ka pasur asnjë problem mes klientëve shqiptarë dhe serbë. Komunikimi është i mirë dhe ushtrojmë të gjithë njëjtë, pa dallime”, tregon ai.
Ai e sheh sportin si një mënyrë të natyrshme për integrim.
“Integrimi i komuniteteve përmes sportit është shumë pozitiv. Për mua nuk ka dallime, të gjithë jemi të njëjtë”, tregon Vranja.
Një model që sfidon paragjykimet
Në një shoqëri ku shpesh raportet ndëretnike shihen përmes prizmit të tensioneve, realitete si ky në Gjilan ofrojnë një perspektivë tjetër.
Five Star Fitness nuk është vetëm një palestër. Është një shembull konkret se si hapësirat e përbashkëta, të ndërtuara mbi respektin dhe objektivat e përbashkëta, mund të shërbejnë si platforma reale integrimi.
Sporti nuk zgjidh i vetëm sfidat shoqërore, por mund të krijojë ura komunikimi që shpesh mungojnë në sfera të tjera të jetës.
Në fund, kur peshat ngrihen, djersa derdhet dhe secili punon për versionin më të mirë të vetes, etnia humbet rëndësinë.
Ajo që mbetet është respekti, përkushtimi dhe një mesazh i qartë: bashkëjetesa nuk ndërtohet vetëm me fjalë, por me përditshmëri të përbashkët.