Në shoqëritë që kanë kaluar konflikt, drejtësia tranzicionale nuk lidhet vetëm me gjykimet apo dokumentimin e krimeve të luftës, por edhe me mënyrën se si shoqëria e kupton dhe e kujton të kaluarën. Në këtë proces, media luan një rol kyç në formësimin e opinionit publik, ndërtimin e narrativave dhe krijimin e hapësirës për dialog shoqëror.
Sipas raportit Media and Transitional Justice të publikuar nga International Center for Transitional Justice në vitin 2016, përpjekjet e drejtësisë tranzicionale mbështeten te media për të inkurajuar krijimin e konsensusit rreth së kaluarës, duke e cilësuar atë si një një detyrë të vështirë, por thelbësore, nëse shoqëria dëshiron të shmangë rikthimin në konflikt.
“Pa pjesëmarrjen aktive të medias si agjentë të ndryshimit shoqëror, plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin ose përgjegjësinë e tyre lidhur me procesin, ndjenja e pronësisë ndaj përpjekjeve të drejtësisë tranzicionale në grupet kyçe të shoqërisë do të mbetet e paarritshme, edhe me përpjekjet më të sofistikuara të komunikimit publik.”, theksohet në raport.
Megjithatë, ndonëse media konsiderohet një faktor thelbësor në mbështetjen e proceseve të drejtësisë tranzicionale, raportimi mbi krimet e luftës dhe proceset gjyqësore në shoqëritë post-konfliktuale shpesh mbetet i ndikuar nga narrativa politike, etnike dhe çrregullime informative.
Kjo problematikë evidentohet në raportin After the ICTY të publikuar nga BIRN në vitin 2018, sipas të cilit pavarësisht dokumentacionit të pasur dhe burimeve që janë në dispozicion, ende nuk ka shenja se po krijohen narrativa të bazuara në fakte mbi trashëgiminë e luftërave në vendet e rajonit, kryesisht për shkak të diskursit të fortë nacionalist politik në të gjitha këto shtete.
“Një nga arsyet pse mediat shpesh neglizhojnë faktet nga gjykimet është se vetëm pak organizata mediatike janë të interesuara të ndjekin procedurat e tilla ligjore. Si rezultat, lajmet për gjykimet e krimeve të luftës rrallë arrijnë te publiku i gjerë, kryesisht sepse mediat kryesore nuk janë të interesuara ose nuk kanë kapacitet për të raportuar nga gjykimet. Megjithatë, kur raportojnë, raportimet zakonisht janë tendencioze dhe të motivuara etnikisht.”, thuhet në këtë raport.
Për këtë ka folur profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, i cili thekson se raportimi mbi temat që lidhen me krimet e luftës dhe proceset e pajtimit kërkon kujdes të veçantë profesional dhe etik, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që këto tema kanë në marrëdhëniet ndëretnike dhe në ndërtimin e paqes afatgjatë. Sipas tij, format më të shpeshta të çrregullimit informativ në këtë fushë përfshijnë dezinformimin, keqinformimin dhe manipulimin emocional të narrativave historike.
“Studimet në Kosovë tregojnë se një publik i ekspozuar vazhdimisht ndaj dezinformatave ndikohet nga to. Prandaj, mund të themi se çrregullimi informativ e vështirëson arritjen e pajtimit afatgjatë.”, tha Gërguri.
Tutje Gërguri thotë se shpesh shohim prezantim të pjesshëm të fakteve, tituj sensacional apo deklarata politike pa verifikim të mjaftueshëm, duke krijuar perceptime të shtrembëruara tek publiku.
“Për identifikim është e domosdoshme të ketë gjykim kritik ndaj përmbajtjes dhe verifikim të informacioneve dhe krahasim me raporte apo burime të tjera kredibile.”, vlerësoi ai.
Menaxherja e projekteve në organizatën Pro Peace, Vjollca Islami Hajrullahu thotë se një nga sfidat kryesore në promovimin e dialogut dhe mirëkuptimit në kontekstet ku qarkullojnë narrativa të pasakta apo të shtrembëruara për të kaluarën është thellimi i polarizimit të perceptimeve dhe dobësimi i besimit ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore.
“Një sfidë tjetër e rëndësishme lidhet me ekspozimin e vazhdueshëm të të rinjve ndaj dezinformatave dhe përmbajtjeve të paverifikuara në hapësirat digjitale dhe rrjetet sociale. Në mungesë të aftësive të mjaftueshme për edukim medial dhe mendim kritik, këto narrativa mund të internalizohen lehtësisht dhe të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet historia dhe realiteti aktual, duke e bërë më të vështirë ndërtimin e qëndrimeve të balancuara dhe të informuara.” – shtoi Hajrullahu.
Gjithashtu ajo theksoi se ndarjet gjuhësore dhe qasja e pabarabartë në burime të verifikuara në gjuhë të ndryshme e vështirësojnë më tej ndërtimin e një narrative më gjithëpërfshirëse, të bazuar në fakte dhe të pranueshme për perspektiva të ndryshme.
“Një element i rëndësishëm i punës së Pro Peace është edhe bashkëpunimi me organizata të shoqërisë civile si dhe institucione arsimore për të forcuar edukimin për paqe dhe informimin e bazuar në fakte. Përmes këtyre aktiviteteve, organizata krijon hapësira të sigurta për reflektim, mësim dhe diskutim kritik, duke inkurajuar të rinjtë dhe publikun të zhvillojnë qasje më të përgjegjshme ndaj informacionit dhe narrativave mbi të kaluarën.” – perfundoi Hajrullahu.
Në Kosovë dhe në vendet e rajonit, temat që lidhen me krimet e luftës, viktimat dhe proceset gjyqësore vazhdojnë të mbeten ndër çështjet më të ndjeshme në diskursin publik. Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftes interpretimet për të kaluarën shpesh vazhdojnë të ndërtohen mbi baza etnike dhe politike, duke ndikuar në mënyrën se si publiku i percepton faktet dhe proceset e drejtësisë tranzicionale. Media dhe platformat digjitale kanë rol të dyfishtë: ato mund të kontribuojnë në informim të bazuar në fakte dhe promovim të dialogut, por njëkohësisht mund të shërbejnë edhe si hapësira ku përhapen narrativa manipuluese, gjuhë polarizuese dhe dezinformata që pengojnë proceset e pajtimit.
Shkroi: Viola Azemi