EPILOGU I RASTIT: TOMË GASHI PËRFUNDIMISHT PËRGJEGJËS PËR NDËRMARRJEN E VEPRIMEVE JO ETIKE, SHKELJE TË DETYRAVE DHE AUTORITETIT TË AVOKATISË.

Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) kishte dorëzuar në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) fletëparaqitje për nisjen e hetimeve dhe marrjen e masave ligjore ndaj avokatit Tomë Gashi i cili me datë 14 shkurt 2020 vërehet i incizuar në një video duke shqelmuar pakon dhe personalisht një qytetar përderisa ai po kërkonte lëmoshë në sheshin ‘’Nëna Terezë’ në Prishtinë.

Komisioni Disiplinor i OAK pas mbajtjes së seancës jopublike të shqyrtimit kryesor disiplinor, me datë 13.07.2021 mori vendim se Avokati Tomë Gashi është përgjegjës për ndërmarrjen e veprimeve jo etike dhe i ishte shqiptuar gjobë në shumën prej 2.500.00 EUR dhe ishte obliguar që në emër të paushallit disiplinor të paguaj shumën prej 50.00 EUR.

Avokati Gashi kishte paraqitur një ankesë kundrejt vendimit të lartëcekur të Komisionit Disiplinor të OAK-së me pretendim të shkeljeve të dispozitave të procedurës disiplinore dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.

Komisioni për Ankesa i OAK-së, duke vendosur sipas ankesës së ushtruar nga Avokati Tomë Gashi, në seancën jopublike të mbajtur me datë 21.09.2021 mori vendim se i aprovohet si e bazuar ankesa z. Gashit dhe anulohet vendimi i Kolegjit Disiplinor dhe ky Komision kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Komisioni Disiplinor i OAK në rivendosje , pas mbajtjes së seancës jopublike të shqyrtimit kryesor disiplinor me datë 24.11.2021, përsëri vendosi se Avokati Tomë Gashi është përgjegjës për ndërmarrjen e veprimeve jo etike dhe ka bërë shkelje të rënda të detyrave dhe autoritetit të avokatisë nga neni 119 i Statutit të OAK-së, dhe i njejti Komision i shqipton masën disiplinore të gjobës në shumën prej 2.500.00 EUR. Ky vendim ankimohet nga Tomë Gashi, ku qështja edhe njëherë vije pranë Komisionit të Ankesave të OAK-së.

Komisioni për Ankesa i OAK-së me datë 21.01.2022 mori vendim se i refuzohet ankesa e datës 28.12.2021 e ushtruar nga Avokat Tomë Gashi si i pa bazuar duke vërtetuar vendimin e Kolegjit Disiplinor të datës 24.11.2021.

Më tutje, Avokat Tomë Gashi më datë 22.02.2022 kishte ngritur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundrejt Odës së Avokatëve të Kosovës duke propozuar që të nxirret një aktgjykim i cili aprovon në tërësi padinë e paditësit Tomë Gashi si të bazuar kundër të paditurës OAK dhe të njëjtës ti anulohen vendimet dhe të obligohet rikthimi i shumës së paguar nga paditësi.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, kishte hedhur poshtë si të palejuar padinë e paditësit Tomë Gashi, kundër të paditurës Oda e Avokatëve të Kosovës në rastin e anulimeve të vendimeve të së njëjtës pasi është akt administrativ përfundimtar, kundër të cilit nuk mund të hapet konflikt administrativ, për tu vlerësuar ligjshmëria e tij.

Së fundi, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Çështje Administrative përmes një aktvendimi përfundimisht kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit Tomë Gashi.

PreviousJava e të Drejtave të Njeriut – Volumi 10 NextAsnjë fushatë linçuese nuk mund ta ndalojë dialogun në rajon