Kujtesa e luftës tek brezi që nuk e përjetoi

Isra Shehu dhe Kastriot Bajrami i përkasin brezit të ri të Kosovës, një brez që nuk e jetoi luftën, por që vazhdon të rritet me kujtesën e saj.

Të lindur pas vitit 1999, ata kanë dëgjuar për luftën vetëm përmes rrëfimeve të familjarëve, dokumentarëve, lëndëve shkollore e organizimeve që janë bërë në shenjë përkujtimi ndër vite.

Kastriot Bajrami, 23 vjeçar thotë se për luftën në Kosovë ka dëgjuar fillimisht nga familja, e më pas nga shoqëria dhe rrethi.

“Ndërsa, si studiues i historisë, jam njoftuar më gjerësisht me rrethanat e konfliktit të vazhdueshëm që çuan deri te fillimi i luftës” – shtoi ai.

Ndërsa, Isra Shehu nga komuna e Kaçanikut përveç rrëfimeve të familjarëve ajo është njohur me luftën edhe përmes mënyrave tjera.

“Edhe pse vetë kam pas fatin mos me përjetu pjesën e luftës, luftën e kam njohur shumë përmes familjarëve. Kam pasur familjarë që kanë qëndruar në Kosovë gjatë luftës dhe ata më kanë treguar për eksperiencat dhe vështirësitë e tmerrshme që kanë kaluar. Gjithashtu, në shkollë kemi folur shpesh në dita si “Dita e Çlirimit” kemi parë dokumentarë rreth luftës ose profesorët na kanë fol për të.” – tha Shehu.

Tek ajo lufta ndikon shumë sepse e bën ta vlerësoj më shumë lirinë.

”Kjo kujtesë na bashkon si komb dhe na formon identitetin, duke na kujtuar se kush jemi dhe çfarë kanë kaluar prindërit dhe familjarët tanë që ne të jetojmë të lirë” – theksoi ajo.

Për Kastriotin, tek të rinjët lufta nuk ndikon drejtëpërdrejt por më shumë në mënyrë sipërfaqësore.

“Nuk besoj se ajo ndikon drejtpërdrejt në jetën e të rinjve që jetojnë në Kosovë, por ka ndikim te të rinjtë familjarët e të cilëve kanë emigruar, sidomos në aspektin social.” –  theksoi ai.

Në bazë të raportit të publikuar më 2024 nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) me autor Bekim Baliqin, për të rinjët burimet e informimit që kanë ndikim më së shumti tek ta janë rrëfimet e të tjerëve për luftën.

“Bisedat me prindërit, anëtarët e familjes së ngushtë dhe njerëzit me përvojë të drejtpërdrejtë nga lufta janë burimet më me ndikim të informacionit për ngjarjet e luftës.” – thuhet në raport.

Kastriot Bajrami shtoi se institucionet duhet të kenë prioritet ruajtjen e kujtesës kolektive të luftës pa e përdorur atë si mjet propagandues për përfitime personale.

“Sipas mendimit tim, prioritet i institucioneve duhet të jetë ruajtja e kujtesës kolektive për përjetimet e luftës dhe parandalimi i përsëritjes së historisë, pa u përdorur kjo kujtesë si mjet propagandues për përfitime personale.” – tha Bajrami.

Ndërsa Isra Shehu thotë se historia duhet të mësohet më mirë nëpër shkolla dhe të ketë më shumë aktivitete kulturore.

“Duhet që historia të mësohet sa më mire nëpër shkolla, të organizohen vizita nëpër memoriale dhe vende historike, dhe të bëhen më shumë dokumentarë apo aktivitete kulturore. Po ashtu duhet të flitet vazhdimisht për të, e kryesisht në ditë më të veçanta si Dita e Pavarësisë së Kosovës në mënyrë që historia të kalojë brez pas brezi e të mos harrohet kurrë.” – shtoi Shehu.

Sipas Vesa Qenës, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë, nëse nuk ekziston një narrativë e përbashkët për atë që ka ndodhur gjatë luftës dhe mungon drejtësia, ecja përpara është e vështirë dhe e paqëndrueshme.

“Të ecësh përpara do të thotë të ndërtosh një të ardhme ku e kaluara nuk na mban peng, por na shërben si kujtesë që ato ngjarje të mos përsëriten kurrë më.” – shtoi Qena.

Qena tha se procesi i drejtësisë tranzicionale duhet të ndodhë sepse është tejet i rëndësishëm për një shoqëri.

“Ka vende ku drejtësia tranzicionale nuk është zbatuar kurrë dhe rreziku është që viktimat, të mbijetuarit, familjarët e viktimave pas disa gjeneratave nuk do të jenë më aty të dëshmojnë atë që ka ndodhur.” – theksoi ajo.

Lufta në Kosovë ka zgjatur nga data 28 shkurt e vitit 1998 deri më 12 qershor të vitit 1999 kur është nënshkruar marrëveshja e Kumanovës.

PreviousKur muzika bëhet kujtim NextVushtrri, MAJ ’99: “Deshtën me më vra, po s’m’vrau Zoti”