Vushtrri, MAJ ’99: “Deshtën me më vra, po s’m’vrau Zoti”

(foto, Studime e epërme, 02 maj 202…)

Nën gurin e mermerit  të ftoht mbi të cilin u ul, i ka eshtrat e motrës.

Veç në këtë mënyrë, po thotë se e heq mallin dhe ia qan hallet e përditshme me atë që jetën bashkë s’e bënë dot.

Dhembja, Musa Gërguri thotë se s’po shuhet, por veç po i rëndohet kur i bie në mend që krejt kujtimet me Hysnije Gërgurin i ka ato të ndarjes me dhunë nga ushtria serbe më ’99.

Musa Gërguri, Dëshmitarë

“Ktu vi shpesh, ulna e flas me motrën Hysnijen. 30 vjet në luftë i ka pasë.”

Veç Hysnija s’qe e vetmja që Gërgurit iu masakrua në Studime të Epërme. Tmerrin e asaj mbrëmje maji, e kujton edhe tash si 74-vjeçar. E po aq të freskëta i ka edhe të shtënat e armëve, plumbat e të cilave ia morën më të dashurit.

“Atë natë m’i vranë qikat dyjat, Imranen 19 vjet e Zejnepen 15 vjet, tani edhe motrën. Veç evladi ish dhimbje e madhe, aahh, shumë randë ish. Atë ditë mu vra edhe mixha, djali i mixhës. Krejt çka kanë qenë më të mirët e më të zotët, i vrau. Bile ma vranë edhe një kojshi shurdhmemec që u kanë, i zoti i mirë. U tutën prej tij e e masakruan” thotë Gërguri”.

Krejt kjo ngjarje, edhe tash 27 vjet pas luftës thotë se po i rri në mendje, madje me të edhe zhurma e njerëzve që ecnin në kolonë s’po i largohet nga koka.

“U kanë ora 8 e mbrëmjes. Veç sa e shtruam sofrën e u mblodhëm me hangër, se gjithë ditën kishim punu. Nuk zgjati shumë, po e nijmë një krismë. Dolëm jashtë e e pamë që serbët na kishin rrethu. Nuk na lanë me folë, veç na thanë me i lëshu shtëpitë e me dalë. Ashtu bëmë, bukën e lamë shtrut. Në sokak kish pasë shumë njerëz, kolona që ishin ardhë prej Shalës. Ecnin kësaj rruge, kjamet. Fëmija u tutshin dhe këtu bashkë nisi masakrimi i krejtëve. Krejt e pashë me sy, se edhe mu m’qitën me më vra, po nuk m’vrau Zoti e shpëtova.” tha ai.

Masakrën e Studimës, që ndodhi më 2 maj të ’99-ës, e ka të freskët edhe Adem Musliu, që ia vranë djalin e vëllanë para syve.

“Më kujtohen kolicat e traktorit që janë të mbushura me gra, djem e fëmijë, e në to edhe djali jem me vëllaun. Rrugës, derisa po i qitshin prej katunit, për me më shpëtu, vëllai i thotë me hy në rekë. Ai hyn aty. Po prej frikës së armëve e prej rrahjeve që po i bënin shkretët, vëllai del e shkon e kap mesën, se kajke. Ata iu kishin drejtu me fjalët: “Pusti je, pusti je”, për me lëshu. Ai ju kish pas thanë: “Jo, se e kom mesë”. E për këto fjalë e kishin vra me plumb në lule të ballit. Këtu në përrua ma kishin pas gju edhe djalin Mehdiun. Ma shtirë s’kish ma qysh me ndodh, me pa në atë gjendje.”thotë Adem Musliu, familjar i viktimave.

Në rradhën e njerëzve prejt të cilëve u krijuan kolona të gjata, ishte edhe Ibrahim Gërxhaliu, ai që në atë kohë ishte në shtëpinë e tij në lagjen e Gërxhalive. Ai thotë se fati deshi e shëptoi pa u vra. Vec të njejtën përfundim se patën edhe familjarët e tij, që thotë se serbët ia vranë pesë, njërin prej tyre me plumbë në ballë.

“Paj, para se me na vra, na plaçkitën, na vodhën e na rrahën kah i kanë nxanë. Fati që fëmijët më mbuluan, u ulën mbi mua e serbët s’më panë. Atë natë m’i vranë pesë anëtarë të familjes: babën, vëllanë edhe tre djemtë e axhës. Bile këta tre i patën vra në sy të prindërve të tyre.”Ibrahim Gërxhaliu, dëshmitar

Ata që fatin e patën të shpëtojnë, i hipën nëpër rimorikio traktori e i nisën për në Vushtrri, rreth 10 minuta larg nga vendi ku kishin përjetuar tmerrin.

Me të shkuar në qendër, banorët e krejt fshatrave përreth Studimes nga Shala e Bajgores, Sllakovci e Cecelia, nisi shpërndarja e tyre nga regjimi i atëherëshëm, disa nga ta i drejtuan për në Veri të vendit e disa të tjerë për në Shqipëri.

Në këtë masakër, që është njëra ndër më të mëdhatë e luftës së fundit në Kosovë, u vranë plot 116 shqiptarë, shumica prej tyre edhe u masakruan më pas. Në mesin e tyre pati edhe fëmijë të moshave të ndryshme, që jetën nuk arritën ta gëzojnë.

Familjarët e të mbijetuarve, u thanë se lotët do iu thahen e dhembja do ju pushoj vec kur ata që kryen krime e ua morën më të dashurit do të dalin para organeve të drejtësisë së Republikës.

Vendin në të cilin u vranë edhe u varrosën, vec askush për 116 civilët e vrarë s’u dënua ende.

PreviousKujtesa e luftës tek brezi që nuk e përjetoi NextNGA TORTURAT TE MBIJETESA, DËSHMIA E NJË TË MBIJETUARI TË BURGUT TË  DUBRAVËS