NGA TORTURAT TE MBIJETESA, DËSHMIA E NJË TË MBIJETUARI TË BURGUT TË  DUBRAVËS

“Çdo moment prisnim hë tani do te na pushkatojn.” Kështu e nis rrëfimin ish i burgosuri politik, Bislim Zogaj, duke rikthyer në kujtesë përjetimet më të rënda të jetës së tij në Burgun e Dubravës.

Bislim Zogaj, ish i burgosur politik

Pas qëndrimit në Burgun e Mitrovicës së Remit, në një mëngjes prilli të vitit 1999, Zogaj, së bashku me rreth 150 të burgosur të tjerë, u njoftuan se do të transferoheshin në Dubravë, ku ndodheshin mbi 800 të burgosur të tjerë.

Teksa afroheshin drejt vendit ku nuk e dinin se çfarë i priste, frika dhe tensioni shtoheshin me çdo hap. Ankthi nuk ishte më nën kontroll, pasiguria dhe dhuna po i mbysnin nga të gjitha anët. Madje, kur arritën në pavijon, realiteti doli shumë më i tmerrshëm sesa e kishin imagjinuar. 

Ditët e para në burg u karakterizuan nga kushte të rënda, mungesë ushqimi, mungesë higjiene dhe pasiguri e vazhdueshme.

 Por gjithçka ndryshoi në mënyrë dramatike mëngjesin e 19 majit, kur në Pavijonin C u dëgjuan tri shpërthime të fuqishme që tronditën gjithë burgun.

Si pasojë, tre persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Nga ajo ditë, sipas Zogajt, asgjë nuk ishte më nën kontroll, frika, pasiguria dhe dhuna u bënë pjesë e përditshmërisë.

Nga përpjekjet për të mbijetuar, të rraskapitur e të nxirë nga torturat dhe dhuna e vazhdueshme, ata jetonin çdo ditë mes frikës dhe pasigurisë.

Foto 1 nga Burgu i Dubraves 

Megjithatë, traumat që përjetuan u shtuan edhe më shumë kur, më 22 maj, granatimet nisën sërish brenda pavijoni. 

Këto granatime nuk dihej nga vinin nga NATO, që dyshonte për baza ushtarake brenda burgut, apo nga vetë forcat serbe. Nga këto sulme u vranë 25 të burgosur dhe 32 të tjerë u plagosën. Unë u dhashë ndihmë të plagosurve, pasi në atë kohë isha teknik medicinal, por kontribuuan edhe të tjerë. Të plagosurit qëndruan gjithë natën në oborr.”

Të nesërmen, rreth 900 të burgosur u rreshtuan me urdhër të forcave serbe. Fillimisht iu tha se do të transferoheshin në një burg tjetër, por shumë shpejt u kuptua e vërteta.

Fillimisht na thanë se gjoja do të transferohemi në një burg tjetër, andaj ka filluar thirrja për grumbullim, por në momentin që jemi grumbulluar kanë filluar të shtënat nga pozicioni ku kanë qenë kulla e vrojtimit, por jo vetëm nga aty, sepse forcat serbe e kishin përgatitur terrenin, sepse aty muri i karakollit që është pesë metra i lartë nuk ka nxënë shumë persona, por për me mujt me pushkatu sa më shumë i kishin përgatitur disa rimorkio të kamionave. Gjuajtjet kanë filluar në të njëjtën kohë me gjithë arsenalin që kishin dhe aty kanë mbetur shumë persona të vrarë dhe të plagosur. Kur kanë filluar gjuajtjet, të gjithë kanë filluar të vrapojnë për të ikur nga ajo hapësirë dhe dikun 100 metra larg nga ai vend ka qenë një disnivel i tokës dhe ajo pjesë na ka ndihmuar shumë për t’u fshehur dhe për të mos na kapur ndonjë plumb apo bombë”.

Foto 2 nga Burgu i Dubraves

Derisa ikja nga burgu ishte e pamundur për shkak të lartësisë së mureve, disa të burgosur po vraponin “pa frymë” në drejtim të pavijoneve, e disa të tjerë kishin gjetur edhe alternativa tjera për t’u fshehur.

“Ka pasur raste kur në disa shakta që kanë qenë më të mëdha janë futur të burgosurit për të shpëtuar, por gardianët i kanë vërejtur dhe kanë gjuajtur bombat në ato puseta.”

Gjatë natës së 22 majit, pa e ditur se çfarë do të sillte dita tjetër, Zogaj u kujdes për të plagosurit, duke i vendosur në Pavijonin C.

Të nesërmen u përsërit i njëjti skenar, të gjithë u rreshtuan sipas kërkesës së forcave serbe, veç se kësaj radhe jo për t’i vrarë, por për ta bërë një pyetje.

Në mesin e dhjetëra të plagosurve e të vrarëve, Zogaj u gjend papritur përballë një realiteti që nuk e kishte imagjinuar kurrë. Pa e ditur çfarë e priste, ai nuk hezitoi asnjë çast kur u pyet nga forcat serbe se cili ishte “doktori” që po u jepte ndihmë të plagosurve. “Në fillim, kur pyetën se cili nga ju mund të japë ndihmën e parë të plagosurve, më sinqerisht më është dukur sikur tash këta po duan të dinë se cili është doktori për me vra. Pas disa dilemave a të ngrihem, thashë më mirë të çohem se të vrasin dikë tjetër. Ju thashë po, unë jam. Pastaj ata thanë që ti duhesh të rrish këtu e të tjerët t’i sjellin ata që janë të plagosur.”

Foto 3 nga Burgu i Dubraves

Gjatë asaj nate, gjuajtjet në drejtim të të burgosurve kishin vazhduar pa ndërprerje, në atë errësirë, shumë prej tyre kishin mbetur mes jetës dhe vdekjes.

Për Zogajn, ajo që pa me sytë e tij ishte përtej çdo përshkrimi, një tmerr i gjallë që nuk është zbehur kurrë me kalimin e kohës.

Trupa të gjymtuar, shenja dhune të pamëshirshme dhe skena që sfidonin çdo ndjenjë njerëzore u gdhendën përgjithmonë në kujtesën e tij, duke e ndjekur si një plagë e hapur edhe sot.

“ 109 persona kanë qenë të plagosur dhe në gjendje shumë të rëndë, për të cilët është dashur të kujdesemi. Ka pasur raste kur unë ua kam parë mushkëritë nga plaga e madhe dhe e thellë që e kishin, pastaj ka pasur në qafë ku i shihej unaza.

Kam pasur raste kur njërit të plagosur, kur kam shkuar për t’i dhënë ndihmën e parë, ia kam ngritur kokën lart, dhe kur e kam larguar dorën, trutë e tij më kanë mbetur në duar, ku pas pak minutash ai vdiq.”

Gjatë asaj nate, Zogaj, që tashmë identifikohej si doktori, pati një lutje jo të zakonshme nga një i moshuar.

“Më erdhi një 60-vjeçar dhe më tha të lutem, doktor, ma merr shpirtin më mirë me më vra ti se më vrasin serbët”.

Pas katër ditësh tmerri, më 25 maj, mbi 600 të burgosur u transferuan me autobusë dhe kamionë në Burgu i Lipjanit, ku qëndruan deri në qershor.

Foto 4 nga Burgu i Dubraves 

Më pas, ata u dërguan në burgje të Serbisë, kryesisht në Burgun e Nishit dhe Burgun i Pozharevcit.

Ajo që ai përjetoi në Burgun e Dubravës shkoi përtej çdo përfytyrimi, por përvojat e tij në burgje kishin nisur edhe më herët.

Në fillim të vitit 1997 ne Burgun e Prishtines, kur ndaj tij kërkoheshin informacione të detajuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, heshtja e Zogajt u pagua shtrenjtë me maltretime të vazhdueshme dhe çnjerëzore.

“ Një ndër maltretimet fizike, kur unë u lutsha të më vrasin dhe që ka zgjatur 7 ditë, është kur forcat serbe kërkonin nga unë informacione rreth UÇK-së, kërkonin që unë ta pranoj që kam qenë pjesëtar i UÇK-së. Ka qenë goditja vetëm në gishta me një shufër të hekurit, ku më kanë rënë të gjithë thonjtë dhe nuk kam pasur mundësi të bëj asnjë gjë, madje as të ushqehem. Jam maltretuar edhe me elektroshok, britmat më të mëdha në jetë i kam pasur atëherë.”

Megjithatë, ai qëndroi i pathyeshëm edhe përballë dhunës psikike, që shpeshherë ishte më e rëndë se ajo fizike.

“ Ata kërkonin vazhdimisht nga unë që të jap informacione dhe një natë, një kat më poshtë, e torturonin një femër, ku zëri i saj dëgjohej me të madhe, dhe më thonin mua se ajo është gruaja jote dhe ajo s’po din çka me thanë, kështu që kallëzo ti, se ata kanë me e myt kështu, kadalë kadalë. Nganjëherë e pyes veten si kam mundur t’i rezistoj kësaj dhune.”

Bislim Zogaj qëndroi në burgje për më shumë se katër vite dhe u lirua vetëm pas përfundimit të luftës, kur shumë nga këto burgje u dogjën për të zhdukur gjurmët e krimeve.

Foto pesë nga Burgu i Dubraves 

Pjese e Masakres se Dubravës ishte edhe Ukshin Hoti, i cili vazhdon të jetë në mesin e mbi 1,600 personave të zhdukur, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

PreviousVushtrri, MAJ ’99: “Deshtën me më vra, po s’m’vrau Zoti” NextRindërtimi i Besimit Përtej Ndarjeve: Një Histori Miqësie nga një Qytet i Ndarë