Friday, September 22, 2017
YIHR

Raporti i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut mbi qeverisjen dhe lirinë e shprehjes në Kosovë

May 24, 2010
1111
Raporti 50 faqësh i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriu (NRDNJ) “Tkurrja e hapësirës publike”shqyrton qeverisjen në Kosovë duke e pare atë në prizmin e lirisë së shprehjes.

Dy vjet pas pavarësisë, ky raport shqyrton kualitetin e shtetësisë në konsolidim e sipër, duke ofruar një kontroll të mirëfilltë në dy sfera kryesore: fushën publike dhe atë të ekonomisë.

Ky raport analizon veprimtarinë e partive politike në Kosovë, kufizimet që iu bëhen mediave dhe mënyrës së raportimit, presionet negative mbi shërbimet publike, kualitetin e zgjedhjeve lokale që u mbajtën në fund të vitit 2009, dhe ndikimi i varësisë së vazhdueshme ndaj mbikëqyrjes ndërkombëtare.

 

Poashtu është hulumtuar menaxhimi ekonomik i shtetit të ri dhe perspektiva e përqëndrimit mbi presionin që buron nga praktikat e klientelizmit dhe shkalla e lartë e papunësisë, problemet e theksuara me prokurimin publik, kufizimet në tregun e lirë dhe barrierat në rritjen e sektorit privat të nevojshëm për zvogëlimin e shkallës së papunësisë dhe sigurimin e stabilitetit shoqëror.Raporti parashtron pyetje rreth asaj se a janë qytetarët e Kosovës në përgjithësi, dhe jo vetëm ata që ushtrojnë profesionin e gazetarit, të lirë të shprehin ndërgjegjen dhe gjykimin e tyre – qofshin në sektorin shtetëror apo privat, qofshin burokratë apo sipërmarrëse.

 

Profesionalizmi në Kosovë është vendosur në qendër të vëmendjes, sepse janë profesionistët kosovarë ata që do ta përcaktojnë karakterin e shtetit. A do jetë ky karakter i krijimit të mundësive apo i kufizimit?

Shkarko në PDF

Raporti është prezantuar në konferencë Dy vite pas: Qeveria nën llupë” me 24 maj në Prishtinë, dhe është transmetuar drejtpërdrejtë në televizionin kombëtar Kohavision (KTV). Autori i raportit Alex Anderson dhe hulumtuesja e NRDNJ-së Besa Luci prezantuan të gjeturat kryesore të raportit. RobertHårdh, Drejtor ekzekutiv i Mbrojtësve për të Drejta Civile (Civil Rights Defenders), organizatë suedeze e cila ka përkrahur këtë projekt, vlerësoi guximin e NRDNJ-së për të folur për kërcënimet dhe presionet me të cilat organizatat përballën: “Raporti patjetër duhet të çojë në pasoja në shoqërinë kosovare”.
Alex Anderson tha se “sfera publike në Kosovë është kthyer ne një hapësirë të ndaluar, një pronë e të fuqishmëve, ku individët pa mbështetje të fuqishme duhet të veprojnë me kujdes.”

Besa
Luci prezantoi gjetjet që “serviliteti, konformizmi dhe heshtja” janë cilësitë që mbahen në shërbimin publik të Kosovës – ku kontrolli arbitrar është forcuar dhe ndihmohet me mungesën e procedurave të paanëshme dhe të qëndrueshme, si dhe mungesën e respektit për institucioneve zyrtare të mbikqyrjes. Edhe decentralizimi i mandatuar me planin e Ahtisaarit që ka për qëllim të sigurojë një përgjegjësi më të madhe të qeverisjes lokale, ka rezultuar me shërbyes civil që i detyrohen kryetarëve të komunave, duke u bërë të pasigurt, më pak autonom në vendimmarrje dhe më pak të lirë në dhënien e informatave.

Luci foli për marrëdhëniet e përkeqësuara ndërmjet qeverisë në njërën anë dhe shoqërisë civile dhe medias në anën tjetër, ku të parët ushtrojnë kërcënime dhe intimidime. Për të zbutur zërat kritik, gazetarëve ju janë ofruar pozita në institucione dhe ndërmarrje, burimet e tyre janë intimiduar, si dhe kërcënimet dhe paralajmërimet kanë ardhur drejtpërdrejt nga zyrtarët, këshilltarët politik dhe nga vetë anëtarët e lartë të qeverisë. Anderson theksoi rolin e partive politike të Kosovës në këtë, të cilat funksionojnë “si biznese private” dhe “funksionojnë që të kanalizojnë pushtetin dhe patronazhin mbi resurset shtetërore në udhëheqësinë e partive që janë vështirë që të mbahen përgjegjës apo të largohen. Ata pushtojnë institucionet publike dhe shtetërore. Këto institucione duhen të lirohen dhe t’i rikthehen interesit publik.”

Anderson kritikoi qeverinë për ryshfet dhe kufizimin e rritjes ekonomike: “Pushteti i shtetit përdoret për të grabitur burimet e pasurisë. Përkushtimi i elitës politike ndaj promovimit të konkurrencës së plotë të tregut është gjysmak. Kjo elitë nuk do që të humbasë kontrollin e saj mbi levat e patronazhit që ka në dispozicion në një ekonomi më të manipuluar dhe duket se ka besim që metodat aktuale mund ta rikthejnë atë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Në vend që të siguroj një hapje më të madhe ndaj botës së jashtme për qytetarët e tyre, klasa politike kosovare duket sikur i është përshtatur tejet mirë gjendjes së gjysmë-izolimit të shtetit të ri dhe jetesës nga përvetësimi i një pjese të pasurisë së pakët të atyre qytetarëve të mbajtur rob.”

Ai përshkroi tensionet në mes të mandatit të policisë të BE-së (EULEX) për ndjekjen e zyrtarëve qeveritarë të lartë të implikuar në korrupcion dhe “faktit që shumica e investimeve politike ndërkombëtare në Kosovë janë të drejtuar që të sigurohet stabiliteti dhe që gjërat të mbahen në një vend. Sepse, ndryshimet dhe reformat sugjerojnë trazira”. Ai tha që dështimi për të vepruar do të jetë gabim pasi që “forma aktuale e stabilitetit të Kosovës është e një tipi të brishtë, frymëndalës dhe kufizues”.

Panelistët tjerë përfshinë Marko Prelec, Drejtorin e projektit per Ballkanin perëndimor të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili tha që raporti i “shkëlqyer dhe në kohë” i NRDNJ-së pasqyron një situatë të ngjashme të dukurive negative që ai i ka vërejtur në dorë të parë gjatë shtetformimit të Kroacisë në fillim të viteve të 1990; pasurimi i njerëzve në qeveri dhe atyre të afërt me qeverinë, presionet e ushtruara në institucionet të zbatimit të ligjit, politizimin e këtyre institucioneve dhe mediave – sidomos televizionet, kontrolli jozyrtar i ushtruar nga të fuqishmit mbi çdo sektor të qeverisjes dhe intimidimi i shoqërisë civile. Ai sheh arsye për optimizëm në atë që Kroacia si dhe vendet tjera në rajon kanë kaluar nëpër këtë dhe ia kanë ndalë mbanë dhe ka arsye të shpresohet që Kosovës do t’i nevojitet më pak se 15-20 vite të Kroacisë që të kthen vetën në rrugë të mbarë.

Prelec tha qe raporti i hapur i NRDNJ-së si dhe përkrahja që e ka marrë nga organizatat tjera joqeveritare të Kosovës ndihmon që të tregojë se, pavarësisht nga sulmet e qeverisë, shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë në pozitë më të mirë se sa në disa vende tjera të rajonit, si për shembull Bosnja dhe Hercegovina. Sepse, për të dërrmuar zërat e pavarur në Kosovë do të nevojitet që qeveria të vijë në nivelet e represionit si në Çeçeni, e cila do të imponojë kosto të madhe në kuptim të izolimit ndërkombëtar që Kosova nuk është e gatshme të paguaj.

Ai përfundoi që për Kosovën është qenësore të tejkalojë ndarjen Ameriko-Evropiane që raporti i NRDNJ-së e përshkruan në lidhje me ndjekjen e anëtarëve të lartë të qeverisë mbi akuzat për korrupsion: “Mendoj që kemi pasur disa shenja që me të vërtet është tejkaluar pasi që prej kur hetimet e EULEX janë bërë publike është mbyllur mundësia e futjes së gjërave nën qilim, dhe tash duhen të ndiqen deri në një përfundim logjik. Dhe qeveria duhet të pajtohet më këtë në një mënyrë apo tjetër. Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështes këto hetime.”

Haki Abazi, përfaqësuesi rajonal i Fondacionit të Vëllezërve Rokfeller, tha që raporti i NRDNJ-së është i zymtë për të lexuar por megjithatë dallohet nga shumë raporte të publikuara në Kosovë gjatë dekadës të fundit për një guxim, profesionalizëm dhe për numër të madh të burimeve.

Abazi tha që Kosova nuk ka demonstruar kapacitet të madh që të qeverisë vetveten gjatë dy viteve të fundit; qytetarët e saj janë ende të mbyllur në kufizime që kanë karakterizuar pritjet e tyre gjatë 15 vjetëve për zgjedhjen e statusit politik të Kosovës dhe nuk ju është ofruar asnjë vizion për ardhmëri tjetër. Ai u pajtua me gjetjen e raportit të NRDNJ-së që njerëzit e qeverisë kanë provuar të okupojnë të gjithë hapësirën publike dhe të mos u lënë hapësirë qytetarëve. Ai pyet se edhe sa do të jenë tolerant qytetarët ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit në qeveri që: “ka shëndrruar Kosovën në një zonë të tenderave të lëshuar për hir të grupeve të interesave të caktuara se sa në tendera të zhvilluara që të nxisin zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.”
Në fund, ai tha që: “Kosovës i nevojitet një nismë e re, një qasje e re, një pikëpamje e re. Qytetarët e Kosovës duhen të bëhen përsëri qendër e vëmendjes për politikanët e shtetit të Kosovës.”

Shpend Ahmeti, drejtor i Institutit GAP, organizatë kosovare për ekonominë, tha “që është e rrallë të shohim kësi raporte të fuqishme, të mbështetura me dokumente, citate dhe burime…që na tregon se ku jemi në të vërtet.” Ai përshkroi raportin si një thirrje për zgjim për shoqërinë kosovarë që të ndalojë pranimin e gjërave të këqija si normale, për shtetin që të shikojë veten në pasqyrë, të pranojë se në çfarë gjendje të keqe është situata e brendshme është dhe të punojë në përmirësim të saj. Ai shpreson që qeveria do ta bëjë këtë në vend se ta etiketojë raportin si një mashtrim dhe t’i etiketojë njerëzit që punuan në të si spiun dhe tradhtar. Ai foli për presionet që ushtrohen në qytetarë të rëndomtë që ta ruajnë imazhin e mirë të Kosovës ndërsa në të njëjtën kohë udhëheqësit e shtetit sillen në mënyrë aq korruptive sa që bastisen e kontrollohen nga policia e Bashkimit Evropian (EULEX).

Ahmeti foli për rreziqet në nivelin aktual të kontrollit të shtetit mbi ekonominë. Në vendet tjera ish komuniste, tranzicionet ekonomike u ngritën pasi që shumësia e agjentëve ekonomik e ka bërë këtë lloj të kontrollit të pamundshëm dhe ka nxitur reformë të mëtutjeshme. Ai shpjegoi që e kundërta ka ndodhur ne Kosovë. “Ju garantoj që ju mjaftojnë vetëm dy duar që të numëroni kompanitë e fuqishme në Kosovë. Në këto kushte është vështirë të kuptohet ku përfundon biznesi dhe ku fillon politika. A e kontrollon politika biznesin apo është e kundërta?” Ai nuk sheh asnjë sukses me investime të huaja dhe që rritja e shpejtë në shpenzime qeveritare gjatë dy viteve të fundit ka shërbyer për të rritur “kontrollin e shtetit mbi atë se cila kompani kosovare mbijeton.”

 

Ai pyet se si Kosova do të arrijë tranzicionin ekonomik i cili është i nevojshëm për tranzicion politik. “Zhvillimi demokratik në shtetet ku ekziston varfëri e madhe, ku shteti është në kontroll, është gati e pamundshme….prej nga do të vjen presioni që të ndryshon kjo situatë? …kemi arritur në një status quo apo ekuilibër prej të cilit është vështirë për të shpëtuar.” Ai shikon në veprimet e EULEX-it si diçka që mund të sjell dhe nxis ndryshime pozitive, ndërsa të njëjtën kohë shpreh shqetësimin se mos nuk do t’ia del t’i përfundojë veprimet të cilat tashmë i ka nisur.

Ylli Hoxha, drejtor i Klubit për Politikë të Jashtme, institut kërkimor dhe forum debatues, tha që raporti i NRDNJ-së është: “një kontribut i rëndësishëm për luftën e qytetarëve të këtij vendi që të vendosin rrugën drejt sundimit të ligjit dhe funksionalitetit shtetëror, nga e cila po largohen çdo ditë e më shumë.” Ai përshkroi se si qytetarët kosovarë kanë treguar mbështetjen e tyre për veprimet e prokurorit të EULEX-it dhe përgjigjet nga kundërshtarët e sundimit të ligjit që qarkulluan njoftime të reme për vdekjen e tij.

Hoxha tha që institucionet që drejtohen nga korrupsioni duhen të bëhen jofunksionale. Sistemi i gjyqësor i dobët në Kosovë e ka shëndruar këtë përvetësim në një aktivitet me rrezik të vogël. “Ndëshkimi është një term i huaj për ne; nuk ekziston në sistemin tonë të drejtësisë.” Qeveria e tanishme e ka bë alokimin e resurseve në mënyrë diskrecionale, duke i vendosur njerëzit e saj në krye të bordeve, në menaxhment dhe zyra të prokurimeve të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Ka rritur masovisht deri në 40% investimet kapitale, ku rreziku për korrupsion është më i madh. Konfirmimi i EULEX-it që është duke hetuar 6 ministra tregon se çka në të vërtet ka ndodhur.

Ai tha që “bashkësia ndërkombëtare në Kosovë është shantazhuar nga politika kosovare, nga ata të implikuar në korrupsion”, të cilët të bëjnë të kuptosh që: “luftimi i korrupsionit do të krijojë destabilitet politik.” Megjithatë, Hoxha theksoi riskun e shantazhit të ndërsjellë: ambasadorët e shteteve të mëdha të perëndimit janë mësuar me mikromenaxhment të Kosovës, por duke i vendosur interesat e kompanive të vendeve të tyre para interesave të qytetarëve, si në një rast duke “aplauduar ministrin e korruptuar” për nënshkrimin e një kontrate. Me projekte të mëdha dhe privatizim në horizont, “dhe është luks tepër i madh për qytetarët e Kosovës që të lejojnë që njerëz të shantazhueshëm të menaxhojnë me interesa vitale të shtetit të tyre, gjë që mund të lë pasoja ekonomike për dekada të tëra më vonë.”

Gjatë debatit, Haki Abazi komentoi që stabiliteti nuk duhet të ngrihet mbi të gjitha në politikat ndaj Kosovës: kjo është e dëmshme pasi që stabiliteti i përkohshëm shëndrrohet në “kërcënim për stabilitetin real nëse status quo i cili e bën kosovarin të varfër dhe pa dinjitet lejohet të vazhdojë.” Shpend Ahmeti tha që në krahasim me Kroacinë në vitet 1990, varfëria dhe rinia në Kosovë mund të bëjnë: “të pamundshme që të kontrollohet e gjithë shoqëria në mënyrën se si parashikohet tash nga kjo klasë politike.”

Duke i ju referuar citatit në raportin e NRDNJ-së të analistëve të cilët shohin një rrezik të trazirave sociale nëse situata nuk ndryshon, Ahmeti shtoi që: “Tranzicioni në Kosovë do të ndodhë në një mënyrë ose tjetër. Varet prej politikanëve, shoqërisë kosovare, shoqërisë civile dhe bizneseve nëse kjo do të ndodhë në mënyre paqësore apo të dhunshme.”

Alex Anderson u përgjigj në pyetje në lidhje me qeverinë, duke shpjeguar që zëvendës kryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë Hajredin Kuçi ka qenë i ftuar të merr pjesë në konferencë, por është penguar nga angazhimet tjera. Megjithatë, ai është konsultuar paraprakisht në lidhje me gjetjet e raportit të NRDNJ-së dhe përgjigjet e tij janë shënuar në tekst.

Gjatë ditëve në vijim Anderson ka dhënë intervista duke shpjeguar raportin dhe gjetjet e raportit në televizionet KTV, programi “Interaktiv” (24 maj) dhe Klan Kosova, programi “Ora e Pasdites” (27 maj).