Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Në vitin 2015, Rrustem Mustafa, i njohur si “Remi”, u dënua me katër vite burg për krime lufte nga Gjykata e Apelit. Në bazë të aktvendimit, Rrustem Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime lufte për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur. Po ashtu, Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe për të akuzuarin ka nxjerrë aktgjykim të formës së prerë.

Si kanal televiziv kombëtar, KTV-ja shikohet gjerësisht dhe ka një rol të rëndësishëm në formësimin e opinionit publik dhe ndikim në narrativën lidhur me të drejtat e njeriut dhe drejtësinë. Prandaj, KTV-ja dhe asnjë media tjetër nuk duhet t’i japë platformë zërave të të dënuarve për krime lufte. Duke vepruar kështu, media mund të legjitimojë dhe normalizojë veprimet e një krimineli lufte të dënuar.

Kjo është alarmante veçanërisht  duke pasur parasysh se Rrustem Mustafa ishte ftuar për të folur për gjykimin e vazhdueshëm për krimet e luftës që po zhvillohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kjo rrezikon të sigurojë një platformë për gjuhë të urrejtjes dhe të përkeqësojë më tej tensionet ndëretnike që tashmë ekzistojnë në Kosovë. Për më tepër, rrezikon të krijojë një narrativë të shtrembëruar të së kaluarës, e cila devijon proceset e ballafaqimit me të kaluarën dhe është e dëmshme për viktimat civile të luftës.

Ky vendim i KTV-së është problematik sepse shkel edhe Parimin 1 nga Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën. Ky parim thekson qartë se viktimat dhe të mbijetuarit e luftës duhet të trajtohen me integritet dhe dinjitet. Ftesa e personave që janë dënuar për krime lufte cenon dinjitetin e viktimave dhe të të mbijetuarve. Çdo platformë mediatike, përfshirë KTV-në, duhet të pranojë vuajtjet e viktimave dhe t’i trajtojë ato me respekt dhe dinjitet.

Gjersa liria e shprehjes dhe liria e medias është një e drejtë themelore, ajo duhet të përdoret me përgjegjësi dhe etikë. Organizatat mediatike kanë përgjegjësinë të sigurojnë që mbulimi i tyre të jetë i drejtë, i paanshëm, i përgjegjshëm dhe i ndjeshëm ndaj viktimave dhe kriminelëve të luftës. Duke i dhënë hapësirë kryesore një personi të dënuar për krime lufte, KTV nuk ka arritur të përmbushë këtë përgjegjësi.

Prandaj, kërkojmë që KTV të marrë përgjegjësi publike për këto veprime dhe t’u kërkojë falje publike viktimave dhe të fshijë të gjitha përmbajtjet e ndërlidhura nga platformat e saj. Gjithashtu kërkojmë që mediat e tjera të mos i japin platformë zërave të personave që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Drejtësia nuk mund të mbizotërojë për sa kohë që kriminelëve të dënuar të luftës u jepet hapësirë publike për të folur për çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *